Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e akuzoi Komunën e Pejës se nuk ka ndërmarrë asnjë përgjegjësi pas vrasjes së Arlinda Zekajt, të cilën shteti dështoi që ta mbrojë, përkundër kërkesave të saj të vazhdueshme. Në të njëjtën intervistë i justifikoi ministrat e Qeverisë së Vetëvendosjes, të cilët nuk japin dorëheqje megjithë kërkesën e protestuesve. Kur ishte fjala për institucionin që nuk udhëhiqet nga partia e saj, Haxhiu foli si opozitare e ashpër. Kur ishte fjala për Qeverinë, e mbrojti me zell.
Intervista u zhvillua të hënën, më 2 nëntor, në emisionin “RTK Prime”. Gazetari që e intervistoi ishte Blerim Haxhiaj.
Haxhiu e nisi me mirëkuptim për protestuesit. “E kuptoj shqetësimin, e kuptoj zemërimin qytetar, e kundërta do të ishte shqetësim për mua”, tha ajo. Sipas saj, kur vritet një grua në këtë mënyrë, mungesa e protestave do të ishte alarmante.
Pastaj e drejtoi zemërimin atje ku Vetëvendosja nuk kontrollon. Protestat, tha ajo, duhet të adresohen te institucionet kompetente, dhe numëroi ato që kishin reaguar: 11 suspendime të policëve të nivelit të lartë, dorëheqjen morale të drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, suspendimet e prokurorëve nga Këshilli Prokurorial i Kosovës; kryeprokurores së Pejës dhe të zëvendëses të saj. “Ne nuk kemi asnjë veprim nga Komuna e Pejës”, tha ajo, “për drejtorinë përkatëse, të vetë Kryetarit të Komunës”.
Problemi është se të njëjtin standard s’po e ka për Qeverinë, ku Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nuk po japin dorëheqje. Në përpjekje për t’i mbrojtur bashkëpartiakët, Haxhiu eskaloi duke e shndërruar kërkesën për dorëheqje në pyetje retorike: “Në qoftë se ne sot e kemi një dorëheqje të ministrit, shtohet pyetja a do të ndalen rastet e dhunës, a do të ndalen vrasjet?”.
Nëse dorëheqja e një ministri nuk i ndalon vrasjet, as largimi i kryetarit të Pejës nuk i ndalon. Por, logjika përdoret vetëm për të mbrojtur Qeverinë. Përgjegjësia bëhet e domosdoshme kur ka të bëjë me institucionet e të tjerëve dhe e diskutueshme kur ka të bëjë me ato të Vetëvendosjes.
Por, Haxhiu mund të thotë çfarë të dojë kur intervistohet nga gazetari i oborrit partiak, Blerim Haxhiaj. Zgjedhja që të intervistohet nga Haxhiaj, nuk duket aspak e rastësishme. Me gjasë e ka ndjekur rrugën e shefit të saj, Albin Kurti, të cilit, njëjtë sikur Haxhiut, i bënte pyetje të buta dhe llogaridhënia nuk ekzistonte si nocion.
Vetëm disa ditë më parë, VOX Kosova raportoi se organizata “IZI – Iniciativa për Zgjidhje Inovative”, që drejtohet nga djali i gazetarit Haxhiaj, Glauku, mori projekt 5 mijë euro nga Ministria e Kulturës.
Përfitues nga institucionet që drejtohen nga Vetëvendosja nuk është vetëm djali i Haxhiajt. Është edhe ai vetë dhe gruaja e tij. Në shtator 2025, VOX-i kishte raportuar se Haxhiaj dhe regjisorja Elmaze Nura kishin përfituar 230 mijë euro projekte për katër vjet, ndërsa IZI e birit të tyre kishte marrë 11 mijë euro vitin e kaluar.









