Nga e hëna, punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), do të nisin grevë të përgjithshme për shkak të mos ekzekutimit të pagave të tyre.

Sindikata e punëtorëve të RTK-së ka bërë me dije se greva do të mbahet çdo ditë nga dy orë – nga ora 11:00 deri në ora 13:00.

Ata do të pezullojnë të gjitha punët në çdo sektor të këtij institucioni në këtë periudhë kohore.

Sindikata e punëtorëve të RTK-së ka kërkuar nga menaxhmenti vendim të qartë për mosmbulim të fushatës zgjedhore të 28 dhjetorit, derisa kanë paralajmëruar bojkot të plotë nëse nuk merret një qëndrim për këtë çështje.

Përveç kësaj, nga sindikata kanë paralajmëruar edhe një protestë para ndërtesës së Qeverisë, teksa kanë kërkuar që Ministria e Financave të ndërhyjë urgjentisht në zgjidhjen e situatës.