Njerëzit në Prishtinë, çdo natë, e të tjerë ditën në komunat e Kosovës dhe gjithandej Evropës e Amerikës, kanë pushtuar sheshet në shprehje të revoltës kundër aktgjykimit dënues për krerët e UÇK-së.

Tek dy javë pas verdiktit dhe kësaj revolte, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot, në një mbledhje të parë të legjislaturës së 11-të, dhe në rend dite do të ketë miratimin e një deklarate.

Bëhet fjalë për deklaratën lidhur me aktgjykimin dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës për ish-krerët e UÇK-së.

Një të tillë pak ditë pas verdiktit e miratoi Kuvendi i Shqipërisë.

Krahas deklaratës, deputetët do të shqyrtojnë edhe pika të tjera të rendit të ditës. Fillimisht pritet të miratohen procesverbalet nga seancat e mëparshme, ndërsa deputetët do të bëjnë edhe betimin.

Në këtë seancë parashihet gjithashtu zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministri Albin Kurti janë takuar dy herë që nga shpallja e aktgjykimit.

PDK-ja po kërkon edhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në disa prej pikave të tij, ku më e rëndësishmja duket të jetë që shkalla e Supremes të vijë në Kosovë, si dhe të garantohet një proces monitorimi.

Vetëvendosje nuk ka shprehur përkrahje për këtë ligj, duke thënë se nuk duhet të bëhen hapa të ngutshëm dhe se duhet të konsultohen edhe ekipet mbrojtëse.

Nga ana e tij, Kurti, në deklarimin e parë pas verdiktit, nuk e përmendi askund se aktgjykimi njollos krejt UÇK-në në disa pika të tij, por sikur e relativizoi atë në çështje individuale.

Madje, në deklarime të tjera të tij, fliste për “dënime të rënda”, por jo edhe për një proces që do ta rrëzonte këtë narrativë, e cila atakon pavarësinë dhe luftën për liri.