Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka qëndruar për dy ditë në Uashington dhe atje është takuar me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe DASH-it.

“Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane. Pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, isha i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, i sapoemëruar Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.W. Richardson Fellow pranë Fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës të Presidentit Trump. Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher”, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion”, ka shkruar ai.

Për të, kjo vizitë ishte pozitive, në veçanti për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit Kosovë–SHBA. Dhe kjo, sipas tij, pas një kohe të vështirë të raporteve të Kosovës me aleatin strategjik.

“Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencë”, theksoi Hamza.

Në SHBA, Hamza ka takuar edhe Ndihmësin Special të Presidentit Donald Trump, Charles McLaughlin, dhe Mark Fleming, drejtor i Zyrës për Evropë Perëndimore dhe Qendrore në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sipas tij, kjo vizitë në Washington është në funksion të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtëpinë e Bardhë dhe qeverinë amerikane.