Skenat nga Kupa e Botës, herë pas here, të kujtonin një epokë tjetër të politikës globale dhe një Amerikë tjetër. Tifozët skocezë të futbollit disi arritën ta linin Bostonin pa birrë. Evropianët e dobët habiteshin në TikTok me porcionet gjigante të Teksasit. Amerikanët shikonin me habi tifozët japonezë duke pastruar stadiumet pas ndeshjeve. Në rrugë mbizotëronin festivale të dallimeve të festuara dhe gëzimit të përbashkët.

Ndërkohë, qeveria amerikane vazhdoi politikën e saj të akteve të rastësishme të mizorisë: ndaloi hyrjen e një arbitri somalez dhe detyroi lojtarët iranianë të largoheshin menjëherë nga vendi pas ndeshjeve. Polemika më e fundit lidhej me faktin se autoritetet amerikane shpërfillën ose anashkaluan rregullat për të anuluar kartonin e kuq të një lojtari të kombëtares së SHBA-së.

Turneu e tregoi me zë të lartë një realitet që bota e kishte kuptuar në heshtje që nga fillimi i mandatit të dytë të Donald Trumpit: amerikanët janë një gjë, Amerika është diçka krejt tjetër.

Në Kanada, kur Shtetet e Bashkuara u shndërruan nga partner në kërcënim, kjo shkaktoi një shpërthim nacionalizmi që nuk ishte parë që nga vitet 1960.

“Së pari, është budallallëk t’i urresh të gjithë amerikanët,” tha shkrimtarja, Margaret Atwood, e cila e kishte jetuar atë nacionalizëm. “Mund të mos të pëlqejë administrata pa thënë se të gjithë amerikanët janë njerëz të këqij.”

Në një kohë kur qytetarët kanadezë po i kthenin përmbys produktet amerikane në supermarket që blerësit e tjerë t’i shmangnin, ky ishte një këshillim jashtëzakonisht i vlefshëm.

Ka qenë çuditërisht e lehtë ta ndjekësh këtë këshillë. Çmenduria përvëluese e Washingtonit, në dekadencën e saj të fundit, është një fatkeqësi që prek para së gjithash vetë amerikanët. Nuk është vetëm fakti që popullariteti i Trumpit ka rënë nën 40 për qind. Edhe krenaria e amerikanëve për vendin e tyre është në rënie të vazhdueshme. Besimi në institucionet kombëtare është shembur. Madje edhe ideja e “përjashtueshmërisë amerikane” po zbehet.

Sipas një sondazhi, vetëm 22 për qind e amerikanëve nën moshën 30-vjeçare besojnë se “ëndrra amerikane” ende ekziston. Amerikanët ndihen të shkëputur nga vetë vendi i tyre.

Më 4 korrik, nacionalistë të bardhë udhëtuan të maskuar në metronë e Washingtonit. Pasagjerët afrikano-amerikanë u detyruan të ndanin trenin me ta. Gjatë një stuhie të fortë, mbështetësit e MAGA-s që merrnin pjesë në Great American State Affair u strehuan në Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afro-Amerikane. Zgjidhni vetë simbolin e përçarjes; të dyja skenat përshkruajnë gjendjen e Amerikës së sotme.

Kanadaja është distancuar nga SHBA-ja në shumë drejtime që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit: në turizëm, tregti, prokurime ushtarake e të tjera. Megjithatë, nuk ekziston i njëjti antiamerikanizëm si në vitet 1960 apo gjatë administratës së dytë të George W. Bushit, sepse askush nuk fajëson qytetarët e zakonshëm amerikanë për luftën me Iranin, për ICE-in apo për kërcënimet ndaj Grenlandës.

Shtetet e Bashkuara po shndërrohen në një vend ku veprimet e qeverisë duhet të ndahen nga vullneti i popullit.

Përpjekja e administratës Trump për t’ia imponuar Kanadasë dhe Evropës shërbimet dixhitale amerikane ka sqaruar se kompanitë amerikane të teknologjisë dhe financave nuk janë më ofrues neutralë të shërbimeve, por agjentë të autoritarizmit amerikan, ose të paktën mund të shndërrohen në të tillë.

Rrëshqitja demokratike gjatë dy viteve të fundit ka marrë shumë forma: përqendrimin e pushtetit në ekzekutiv, dobësimin e Aktit për të Drejtat e Votës dhe manipulimin e kufijve zgjedhorë. Në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026, vetëm 18 vende në Dhomën e Përfaqësuesve konsiderohen realisht të pasigurta. Kongresi amerikan nuk është më një institucion me konkurrencë të vërtetë politike.

Do të ishte po aq absurde të fajësoheshin turqit për veprimet e qeverisë së Erdoganit, sa edhe amerikanët për veprimet e qeverisë amerikane.

Megjithatë, refuzimi global i gjithçkaje amerikane është pothuajse i pashmangshëm. Çdo produkt ose shërbim amerikan që lidhet me qeverinë amerikane ose i nënshtrohet ligjeve të SHBA-së përbën një kërcënim për sovranitetin e demokracive të tjera.

Mosudhëtimi drejt SHBA-së, për kanadezët, nisi si bojkot, por tani është më shumë një mënyrë për të mbrojtur veten. Qeveria amerikane e ka bërë të qartë se të huajt në territorin e saj mund të trajtohen si armiq të mundshëm. A do të shkonit në Disneyland nëse ekzistonte mundësia që fillimisht t’ju nënshtroheshit një kontrolli trupor poshtërues?

Arsyeja pse Amerika shihet sot si një kërcënim më i madh se Kina apo Rusia në shumë pjesë të botës nuk është se është domosdoshmërisht më e keqe, por sepse është e paparashikueshme. Ushtria përfshihet në vrasje për argëtimin e liderit. Nis luftëra pa plan. Askush nuk e di më çfarë vlere ka një marrëveshje me qeverinë amerikane. Askush nuk është i sigurt nëse negociatorët kanë autoritet apo nëse do ta mbajnë fjalën.

Është e lehtë të mos jesh antiamerikan, sepse nuk ekziston më një Amerikë mjaftueshëm e bashkuar për ta urryer.

Nga jashtë, Amerika i ngjan një shtëpie ku ushtrohet dhunë. Brenda saj, disa përpiqen ta kënaqin dhunuesin. Disa ikin. Disa luftojnë. Të tjerë përpiqen ta injorojnë gjithçka. Disa vetëm bëjnë sikur. Kur je fqinj, mjafton të sigurohesh që e ke mbyllur derën.

Të njëjtat sondazhe që treguan rënien e besimit të amerikanëve ndaj vendit të tyre treguan gjithashtu se “amerikanët, në shumicë dërrmuese, duan një vend që përqafon pluralizmin brenda dhe sillet si një fqinj i mirë në arenën ndërkombëtare.”

Por nuk ke nevojë për sondazhe për ta ditur këtë. Mjafton të njohësh disa amerikanë. Sistemi i tyre nuk po u lejon ta kenë vendin që dëshirojnë dhe meritojnë.

Kanadezët e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër se rënia e SHBA-së nuk vjen sepse amerikanët janë njerëz të këqij. Ata janë miqtë, familjarët dhe kolegët tanë. Problemi është se sistemet e tyre po shemben.

Prandaj refuzimi i sistemeve amerikane – në mbrojtje, teknologji, ekonomi, kulturë e fusha të tjera – bëhet edhe më i rëndësishëm.

Shitësit e birrës në Boston dhe mjeshtrit e skarës në Teksas nuk janë e njëjta gjë me agjentët e ICE-it. Ata pothuajse nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Pikërisht ky është problemi.

Pezullimi i kartonit të kuq të Folarin Balogun nuk është faji i tij. Megjithatë, paraqitja e kombëtares amerikane tani do të mbetet me një fusnotë pranë saj.

Sot, në çdo aspekt, edhe Amerika ka një fusnotë pranë emrit të saj.