Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mirëpritur marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës në lidhje me lehtësimet për popullatën serbe në Kosovë në kuadër të Ligjit për të huajt.
“Ne e mirëpresim koordinimin Kosovë-BE lidhur me Ligjin për të Huajt”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në rrjetin e tij social X.
Rama ka nënvizuar kompleksitetin e çmontimit të strukturave paralele, duke bërë thirrje që ky “guxim” siç e quan ai i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të përkthehet në largim të masave ndëshkuese e në përparim të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në trupin kryesor të kontinentit të Evropës.
“Çmontimi i strukturave paralele është një punë e vështirë. BE-ja duhet ta përputhë këtë guxim duke hequr masat ndëshkuese dhe duke e çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim”, ka shtuar i pari i ekzekutivit të Shqipërisë.
Rama ka ritheksuar qëndrimin e tij për inkuadrim të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian në këmbim të një fitoreje strategjike për Evropën, duke hijezuar se një inkuadrim i tillë nuk do të ishte “bamirësi”.
Pas takimit të sotëm të Kurtit me Peter Sorensen, Emisar i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, u bë e ditur se ekzekutivi i Kosovës ka vendosur të lirojë qytetarët serbë në Kosovë nga obligimet që rrjedhin prej Ligjit për të huaj, duke u mundësuar leje qëndrimi dhe pune edhe për 12 muaj si dhe duke ua njohur dokumentet e institucioneve të tyrë paralele për t’u faktuar në regjistrin civil te Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re tre-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet përdorimi ID kartës, ekskluzivisht si mjet identifikimi, të lëshuar nga strukturat jolegale”, deklaroi Kurti të shtunën në mëngjes.









