Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrah një Qeveri teknike dhe kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu.

Këto komente, Haxhiu i ka bërë në një konferencë për media nga Kuvendi i Kosovës, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të enjten.

“Nuk e përkrahim një Qeveri teknike. Qytetarët e Kosovës kanë vendosur. Qytetarët e kanë votuar Albin Kurti, pra si personin më të votuar në Kosovë. VV-së i kanë mbështetje maksimale”, tha Haxhiu.

Ajo potencoi se VV-ja është falënderuese për besimin që qytetarët e Kosovës ia kanë dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Prandaj në qoftë se nuk do të ketë numra natyrisht që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, ndonëse ju e dini që ne nuk e kemi dëshiruar këtë rrethanat politike na imponojnë”, shtoi ajo.

Deklarata e Haxhiut, vjen disa ditë pasi që Albin Kurti, si i mandatuar nga Presidentja Vjosa Osmani për të formuar Qeverinë e re si fitues i zgjedhjeve, dështoi që t’i sigurojë 61 vota për të marrë drejtimin e ekzekutivit për herë të tretë.

Në seancën e së dielës, Kurti mori 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime.