Organizata QIKA ka zhvilluar të martën një aksion simbolik te Ministria e Drejtësisë, pas deklaratës së Ministres Donika Gërvalla, e cila tha se “fatkeqësisht, Arlinda nuk i është drejtuar Qeverisë, ndoshta, nëse do t’i ishte drejtuar Qeverisë, ndoshta do të kishte pasur angazhim”.

Aktivistet e QIKA-s kanë hedhur tymuese dhe kanë kërkuar dorëheqjen e Gërvallës. “Arlinda e boni atë që duhej, ti, Donikë, s’e bone. Dorëhiqu”, është njëra nga parullat që e kanë vendosur te objekti i Ministrisë së Drejtësisë.

“Arlinda nuk e kishte gabuar adresën. Shteti e braktisi”. “Donikë, gratë nuk kanë nevojë për numrin tënd të telefonit. Kanë nevojë për institucione që funksionojnë”, janë parullat e tjera që u vendosën për të kërkuar përgjegjësi nga Ministrja Gërvalla.

Nga QIKA thanë se aksionin e bënë për të t’ia rikujtuar Gërvallës se përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget duke ia bartur fajin viktimës.

“Sot, në Ministrinë e Drejtësisë, vendosëm disa mesazhe dhe pjesë nga deklaratat e Arlinda Zekajt, për t’ia rikujtuar ministres së Drejtësisë dhe Koordinatores Nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, Donika Gërvalla, se përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget duke ia bartur fajin viktimës”, kanë shkruar nga QIKA në Facebook.

Gërvallës, QIKA thotë se “ia rikujtuam se Arlinda ka kërkuar ndihmë aty ku duhej”. “Ka trokitur në dyert e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin, por shteti e braktisi”.

Deklaratat skandaloze, relativizimi i përgjegjësisë dhe fajësimi i viktimave, nga kjo organizatë thonë se “nuk mund të kalojnë në heshtje”. “Donika Gërvalla duhet të marrë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqje!”.

Arlinda Zekaj u vra të dielën nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili aktualisht është në arrati.