Gjashtë ushtarë sirianë janë vrarë pas një sulmi me dron nga Izraeli në periferi të Damaskut, media shtetërore e Sirisë, El Ekhbariya, ka raportuar të mërkurën.

Siria dhe Izraeli janë të përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga SHBA-të për zbutjen e tensioneve në jugun e Sirisë, me Damaskun që po kërkon një marrëveshje sigurie që do të hapte rrugë për negociata më të gjera politike.

Siria ka thënë të hënën që Izraeli ka dërguar 60 ushtarë në territorin e tyre afër malit Hermon duke shkelur sovranitetin shtetëror, ndërsa ushtria e Izraelit ka thënë se trupat e saj kanë kryer operacione rutinë në Sirinë jugore por jo në Beit Jinn, një zonë afër kufirit me Libanin dhe afër malit Hermon.           

Ministria e Jashtme e Sirisë të martën e ka dënuar sulmin e fundit të Izraelit në territorin e vet, duke thënë se paraqet një kërcënim direkt për paqen rajonale dhe sigurinë.

Në janar, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se trupat izraelite do të qëndrojnë në majën e malit Hermon për një kohë të pacaktuar.