Fitore Pacolli për Skenderajn dhe Drenicën sulmin nuk e ka vetëm mbi figura të caktuara politike dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që vijnë nga ai rajon.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që është e njohur për deklarata skandaloze, së fundi ka fyer krejt njerëzit e asaj komune.

Të enjten, simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje po mblidheshin në tubimet hapëse të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit në Ferizaj.

Nga atje, e pyetur nga “Sateliti” se çka nëse mund të ndodhë ndonjë përplasje, Pacolli lëshoi një deklaratë skandaloze.

“Nëse kanë ardhë me atë mendësinë e Skenderajt, çka s’pritet prej tyre”, tha ajo.

Zellin për të etiketuar njerëzit nga atje dhe në tërësi atë komunë, nuk e ka të rastësishëm apo lapsus.

Një gjuhë kundër UÇK-së jeton tek ajo edhe prej më herët.

Komenti i Pacollit në Ferizaj merr peshë shtesë pasi vjen vetëm pak ditë pasi ajo, në një paraqitje në Kanal 10, deklaroi se “ajo dhe partia e saj e kishin mbrojtur Kosovën nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe komandantët tjerë që deshën me shit Kosovën”.

Retorika e saj sikur është rregull në Vetëvendosje.

Ditë më parë, një deklaratë fyese për Skenderajn e dha edhe Agim Bahtiri, i cili në një intervistë tha se “në Mitrovicën e Veriut ka shumë më shumë siguri se që ka në Skenderaj”.

Me Drenicën në mënyrë fyese kulturore ishte marrë edhe ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha – i njohur për shkrimin ku e akuzonte UÇK-në se u financua nga paratë e krimit dhe drogës.

Kur në dimër kishte probleme me energji dhe opozita po e kritikonte pushtetin për mungesë investimesh, Basha zgjodhi të përgjigjej jo me fakte konkrete por me etiketime për Drenicën.

“Këta të PDK-së prej Drenicës kanë dalë në Prishtinë, lypin me u nxeh dimrit, por nuk e votojnë marrëveshjen që e rrit kapacitetin e ngrohtores në Prishtinë”, thoshte ai në një emision televiziv.

Kur në Skenderaj ndodhi një incident mes kryetarit të komunës, Sami Lushtaku, dhe kandidatit për deputet nga Vetëvendosje, Hysni Mehani – çuditërisht shteti dërgoi atje në mbrëmje Njësinë Speciale.

Një akt që u vlerësua nga Partia Demokratike e Kosovës, por edhe kritikë të pavarur, si një provokim i qëllimshëm nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Hysni Mehani në deklarimet e tij publike e kishte cilësuar kryetarin e komunës, udhëheqës të UÇK-së në Drenicë, si “Sami Serbia”.

Gjuha kundër Skenderajt dhe figurave të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare nga ky rajon nuk është e rrallë në Vetëvendosje.

Donika Gërvalla, që përfaqëson një parti tjetër por praktikisht vepron me Vetëvendosjen, është marrë shpesh me njerëzit e UÇK-së nga ajo komunë.

Në një emision televiziv ajo e kishte pranuar se kishte dërguar dosje në Gjykatën Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Rexhep Selimin dikur e quante kriminel.

Një ish-deputet i GUXO-s së Gërvallës dhe kandidat në listën e Vetëvendosjes edhe për këto zgjedhje, Fatos Geci, në një nga seancat e fundit shprehu dëshirën që Hashim Thaçi dhe krerët e UÇK-së të marrin dënim të përjetshëm nga Gjykata Speciale.

Këtë mendim e përkrahu Donika Gërvalla dhe Vetëvendosje e përfshiu në listë për deputetë, ani pse dikush aty u përpoq të distancohej me gjysmë zëri.

Por Kurti kurrë nuk u distancua.