“Ne jemi PDK-ja dhe s’nënshtrohemi kurrë. Gënjeshtarëve e mashtruesve udha e mbarë ju qoftë!”, ka thënë Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Petrit Hajdari.

Këto komente, Hajdari i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas takimit që Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, pati me nënkryetaren e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

“Fjala është gjithçka në politikë. Nëse është e vërtetë, koha ia jep vulën, siç po ndodh me fjalët tona. PDK dhe vetëm PDK. S’ka adresa tjera dhe s’çojmë ujë tek askush tjetër”, shkroi Hajdari në Facebook.

Ai theksoi se secilit i vjen radha të dëshmohet dhe, sipas tij, duke iu referuar takimit Lladrovci-Haxhiu, “iu erdhi një nga një”.

Ai konsideron se pas këtij takimi “maskat ranë dhe po qartësohet çdo ditë kush PDK-në e kishte dedikim e besim, e kush veç trampolinë pushteti”.

“Nga britmat se jemi PDK, te thirrmat për thyerje kurrizi e drekat me pushtetin. Megjithatë, rruga vazhdon. Qytetarët shohin e koha është gjyqtari që konfirmon gjithçka”.

Lladrovci është takuar të enjten me Haxhiun. Lajmin për VOX Kosova, e ka konfirmuar vetë Lladrovci, i cili tha se me Haxhiun ka drekuar në një restauruan për çështje “personale”.

“Po, sot kam drekuar me znj. Haxhiu, në ‘Blinajë’, në Fushticë, dhe ishte drekë e lidhur me çështje krejt personale. Besoj e dini se gjyshin e saj, Bacën Ahmet e kam pasur mik dhe njeri shumë të besueshëm gjatë kohës së ilegales, prandaj, është çështje personale”, tha Lladrovci për VOX Kosova.

Ky takim i Lladrovcit me Haxhiun vjen në një kohë kur ai ka prishur raportet me udhëheqësin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lladrovci garoi për Kryetar të Drenasit me iniciativë qytetare dhe fitoi pa balotazh, pasi që PDK-ja nuk e miratoi kandidaturën e tij, por atë të Petrit Hajdarit.

Para disa ditësh, Lladrovci, në një intervistë në “RTV Dukagjini”, paralajmëroi se do të kandidojë me listë të tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në qoftë se udhëheqësia e kësaj partie nuk reflekton. Madje, tha se “do ta thyej në kurriz PDK-në”.