Me burgim të përjetshëm është dënuar Naim Murseli nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademaj, më 29 nëntor 2023.

Po me burgim të përjetshëm është dënuar edhe Granit Plava. Ndërsa, Kushtrim Kokallën, gjykata e ka dënuar me 30 vjet burg.

Vendimi u mor në seancën gjyqësore të martën, në të cilën Murseli, Plava dhe Kokalla nuk ishin prezent.

Murseli u shpallë fajtor për vrasje të rëndë, ndërsa Plava, përveç vrasjes së rëndë, u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje. Kurse, Kokalla u shpall fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, tre të akuzuarit, kishin pasur dakordim paraprak që vrasja të kryhej nga Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

Aty theksohej se i gjithë plani për vrasjen e Liridonës ishte bërë nga Murseli, si hakmarrje dhe që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.

Liridona Ademaj ishte vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-së. Ajo u vra në fshatin Bërnicë të Prishtinës, derisa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murseli dhe dy fëmijët e tyre.