Sladan Trajkoviç është dënuar me 10 vjet burg për krime lufte. Aktgjykimi dënues është marrë sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë nga Trupi Gjykues i përbërë prej Ngadhnjim Arnnit, Donika Shalës dhe Arben Hotit.

Serbi Trajkoviç obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Slladan Trajkoviçit për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sipas aktakuzës së ngritur, Trajkoviç akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998–1999, në fshatin Reznik të Komunës së Vushtrrisë, si dhe në fshatra të tjera përreth, ka marrë pjesë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, në një sërë veprimesh penale. Këto veprime përfshijnë vrasje, bastisje, rrahje, keqtrajtime, arrestime të paligjshme, tortura, trajtim çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe zhvendosje me forcë të mijëra civilëve shqiptarë. Po ashtu, ai akuzohet për përfshirje në plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive të popullatës civile shqiptare, e cila nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në konfliktin e armatosur.

Me këto veprime, Trajkoviç akuzohej se, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë ende të paidentifikuar të Policisë Serbe dhe persona të tjerë të armatosur e të uniformuar, ka kryer veprën penale të “krimeve të luftës kundër popullatës civile”.