Me 12 vjet e 6 muaj burg për krime lufte është dënuar sot (e martë, 3 shkurt) serbi Srdan Lazoviç. Ai është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë – nga kryetari i Trupit Gjykues, Vesel Ismaili dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Kushtrim Shyti.

Ndaj Lazoviçit ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale më 19 nëntor të vitit 2024. I njëjti akuzohej për krime lufte gjatë periudhës 1998 – 1999, në fshatin Panorc të Malishevës.

Sipas aktakuzës dhe në lokacionin e lartëpërshkruar, ai në bashkëveprim me persona tjerë të paidentififkuar kishin kryer arrestim dhe privime të kundërligjshme nga liria të disa civilëve, të cilët ishin keqtrajtuar fizikisht e psicikisht.