Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar të mërkurën 3 persona të dyshuar për veprat penale “Legalizimi i përmbajtjes së pa vërtetë në bashkëkryerje”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj dhe në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një urdhër kontroll, ku me ç’rast me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, janë ndaluar tre (3) persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Të tre këta, inicialet e të cilëve janë A.S, noter nga Vitia, I.M nga Prishtina dhe F.N nga Dragashi, janë ndaluar për 48 orë.

Nga organi i akuzës theksohet se ndalimi i tre të pandehurve në këtë rast është bërë si rezultat i vazhdimit të hetimeve që ndërlidhet me rastin paraprak, ku më herët nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, u ndaluan edhe pesë persona të tjerë, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurve në këtë çështje penale, theksohet se do të vazhdoj tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore.