Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet B.P., dhe kompanisë “B. Sh.P.K.”, për shkak se dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” në Dragash.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.P., dhe personit juridik “B. Sh.P.K.”, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” nga neni 415 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, më datë 22 dhjetor të vitit 2023 në Dragash, i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B. Sh.P.K.”, dyshohet se “me qëllim ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata publike me titull ‘Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash’”.

Aty theksohet se gjatë realizimit të kontratës, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit, siç ishte paraparë me kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara, përkatësisht aparate të vjetra të servisuara në të cilat janë vendosur pajisje të reja shpenzuese.

“Me këto veprime, Komunës së Dragashit i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët përdorimi, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të krijojnë kosto shtesë krahasuar me pajisjet e reja”.

Prokuroria potencohet se ka ngritur aktakuzë edhe ndaj personit juridik “B. Sh.P.K.”, si operator ekonomik fitues i kontratës së lartpërmendur, për të njëjtën vepër penale.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.