Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë (8) personave për krime lufte në Gjakovë.
Prokuroria ka njoftuar se aktakuza është ngritur ndaj personave me inicialet M.K, V.M., D.R., Z.D., C.B.,M.I.,S.S. dhe S.K. Ata janë të akuzuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit nga 24 marsi i vitit 1999 deri më 31 mars të po atij viti, në qytetin e Gjakovës, gjatë një operacioni të gjerë, duke vepruar në bashkëkryerje dhe në koordinim me struktura policore, ushtarake dhe paramilitare, “kanë kryer vrasje, dëbim të popullsisë civile, shkatërrim dhe plaçkitje të pronës së tyre”.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë këtij operacioni të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe janë vrarë 65 civilë dhe janë zhdukur 12 civilë”, theksohet aty.
Prokuroria Speciale, në bazë të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, “meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë”.
Nga organi i akuzës kanë potencuar se mbeten të përkushtuar në ndjekjen e të gjitha rasteve të krimeve të luftës, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, “duke synuar sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe forcimin e sundimit të ligjit”.









