Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj një personi me inicialet A.D, për veprat penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 9 mars 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut, i pandehuri A.D., në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Kaçanik, dyshohet se, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, “ka kryer veprime që përfshijnë torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare”.
“Forcat në fjalë fillimisht e kanë rrethuar fshatin Ivajë dhe më pas i kanë detyruar banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas dyshohet se janë djegur dhe shkatërruar”, thuhet në njoftimin e Sistemit Prokurorial.
Sipas aktakuzës, burrat ishin ndarë nga gratë, ku ishin dërguar në Stacionin Policor në Kaçanik, më pas 78 prej tyre janë liruar, ndërsa “13 janë ndaluar për t’u marrë në pyetje dhe dyshohet se janë rrahur dhe torturuar nga i pandehuri A.D. dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar”.









