Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj Presidentes Vjosa Osmani.
Organi akuzës ka njoftuar se rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 paragrafi 1 , nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Në një reagim mëngjesin e së hënës, Presidenca e Kosovës dënoi ashpër gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të Presidentes Vjosa Osmani.
“Thirrjet për ‘pushkatim’ nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim”, thuhej në reagimin e Presidencës.
Aty theksohet se kushdo që mendon se mund ta frikësojë një Presidente “me shpifje apo kërcënime të tilla, thjesht po dëshmon se nuk e ka pranuar ende se jetojmë në Republikë demokratike”.
Presidenca u bëri thirrje organeve kompetente të rendit dhe drejtësisë që të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin.









