Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet A.Z. dhe F.Rr, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, A.Z., në cilësinë e menaxherit të Financave dhe më pas ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të “Pallatit të Rinisë” Sh.A. në Prishtinë, dyshohet se gjatë viteve 2021–2022, ka keqpërdorur mbi 137 mijë euro të ndërmarrjes, duke realizuar transfere të paautorizuara në llogaritë personale dhe të personave të tjerë.

“Ndërsa, F.Rr., në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për sigurim, dyshohet se ka ndihmuar A.Z., duke tërhequr mjete financiare në para të gatshme dhe duke ia dorëzuar ato, me ç’rast ka mundësuar përfitimin e kundërligjshëm në vlerë prej 9,250 euro”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

“Ai ngarkohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria theksohet se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve në sektorin publik, “duke garantuar trajtim të paanshëm dhe profesional të çdo rasti”.