Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj një personi me inicialet R.D, pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” në Vushtrri gjatë luftës së fundit.

Sipas aktakuzës, R.D., ish-pjesëtar i MUP-it serb, më 22 maj 1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra.

I pandehuri akuzohet edhe se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.

Rasti i është dërguar për shqyrtim të mëtejmë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në masën e paraburgimit.