Salla e gjyqit ku dikur qëndroi në bankën e të akuzuarve Sllobodan Millosheviqi, ish-lideri serb, nën akuzat për gjenocid, nuk ishte shumë e stolisur, por kishte një lloj autoriteti burokratik.

Në shtator u mbyll për herë të fundit. Seancat e mbetura, njoftoi gjykatësi kryesues, do të mbaheshin në një “dhomë konference të modifikuar”.

Ky degradim simbolizoi rënien e prestigjit të drejtësisë penale ndërkombëtare, dhe kështu edhe të Hagës, një qytet sinonim i ndëshkimit të krimeve të luftës, shkruan The Economist.

Si seli e qeverisë holandeze, reputacioni global i Hagës lidhet me rolin e saj si qendër e së drejtës ndërkombëtare.

Rreth 50 institucione ndërkombëtare dhe dhjetëra OJQ të lidhura me to gjenerojnë 2.7 miliardë euro (3.1 miliardë dollarë) çdo vit dhe mbështesin 36,000 vende pune në një qytet me gjysmë milioni banorë.

“Ne nuk prodhojmë pajisje, ne marrim vendime”, thotë këshilltari komunal Andrew van Esch.

Por duket se vendime po merren gjithnjë e më pak. Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë u mbyll në vitin 2017.

Çështjet e saj të mbetura dhe ato të tribunalit për Ruandën u transferuan te një gjykatë reziduale, tani e vendosur në dhomën e modifikuar të konferencave.

Tribunali i ngritur për të hetuar vrasjen në vitin 2005 të Rafik Haririt, ish-kryeministër i Libanit, u mbyll në vitin 2023 për mungesë fondesh. Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), një super-tribunal i themeluar në vitin 2002, ndodhet nën trysni të madhe.

Donald Trump ka vendosur sanksione ndaj nëntë anëtarëve të stafit të ICC-së. Karim Khan, prokurori kryesor, është në pushim të detyruar për shkak të akuzave për sjellje të pahijshme seksuale, të cilat ai i mohon.

Në historinë e saj ICC ka dënuar vetëm 13 të pandehur. Tribunali për Jugosllavinë dënoi 93.

Tash, ICC ka një “peshk të madh” aktualisht në gjyq: Rodrigo Duterte, ish-presidentin e Filipineve.

Por Italia e dërgoi një komandant të kërkuar lufte sërish në Libi.

Viktor Orbán, kryeministri i Hungarisë, u tërhoq nga traktati themelues i gjykatës në vend se të respektonte urdhrin e arrestit për Binyamin Netanyahun, kryeministrin e Izraelit.

Tribunali tjetër kryesor i qytetit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), është në gjendje më të mirë. Shpesh e quajtur “Gjykata Botërore”, ajo është organi kryesor gjyqësor i OKB-së, që trajton mosmarrëveshje mes shteteve. Kurrë nuk ka qenë më e ngarkuar, mes padisë së Afrikës së Jugut për gjenocid kundër Izraelit dhe një sërë çështjesh të tjera.

Shumica e banorëve të Hagës i kushtojnë pak vëmendje gjykatave.

Përtej qendrës së saj elegante, Haga është dinamike dhe e vrazhdë, me lagje të mëdha myslimane dhe të klasës punëtore të bardhë.

Ndërkohë, profesionistët që kanë ndërtuar karrierat e tyre rreth tribunaleve po përpiqen të “përballojnë ndryshimin”, thotë Jill Wilkinson, drejtuese e Hague Humanity Hub, një forum për organizatat e drejtësisë.

Madje mund të ketë edhe një anë pozitive nga armiqësia e administratës Trump ndaj së drejtës ndërkombëtare: zonjës Wilkinson i janë drejtuar OJQ amerikane që kërkojnë të zhvendosen në Hagë.