Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se raporti i organizatës britanike “Bar Human Rights Committee of England & Wales” për shkeljet e Gjykatës Speciale të Hagës ndaj të akuzuarve atje, “ngre shqetësime serioze për respektimin e standardeve të një gjykimi të drejtë”.
“Ne kërkojmë që rekomandimet e raportit të merren seriozisht dhe urgjentisht, përfshirë krijimin e një mekanizmi të pavarur të monitorimit, që garanton respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe ruajtjen e legjitimitetit të procesit gjyqësor. PDK u bën thirrje shteteve financuese të Dhomave të Specializuara, ekspertëve të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë njohësve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit, që të mos heshtin”, thuhet në thirrjen e PDK-së.
Sipas këtij subjekti politik “heshtja përballë këtyre gjetjeve nënkupton normalizim të standardeve të ulëta dhe rrezikon të krijojë precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare”.
Një raport i një organizatës britanike The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), që u prezantua të enjten nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një nga kritikat është roli i zgjeruar i gjyqtarëve, i cili – sipas raportit – rrezikon të cenojë parimin themelor të një gjykimi të drejtë: barazinë e armëve mes palëve.
Raporti vëren se gjyqtarët nuk po kufizohen në rolin e arbitrit neutral, por po ndërhyjnë aktivisht në ndërtimin e çështjes. Ata kanë bërë dhjetëra orë pyetje ndaj dëshmitarëve, shpesh përtej asaj që ka paraqitur vetë prokuroria. Në disa raste, sipas raportit, gjyqtarët kanë përdorur dokumente që nuk ishin pjesë e provave të pranuara, madje edhe materiale të marra nga interneti, pa njoftim paraprak për mbrojtjen. Një praktikë e tillë, thuhet në raport, “krijon kushtet që trupi gjykues të funksionojë si një prokuror i dytë”.
“Korniza e Dhomave të Specializuara i jep Trupit Gjykues një liri të konsiderueshme si përcaktues i fakteve dhe ligjit. Pa kufizime të qarta, kjo mund të krijojë kushte që Trupi të funksionojë si një ‘prokuror i dytë’, duke ndikuar në barazinë e armëve. Mbrojtja përballet jo vetëm me çështjen e Prokurorisë, por edhe me atë të Trupit Gjykues, me pasoja të qarta për burimet dhe strategjinë”, theksohet në raportin që ka mbi 90 faqe









