Një ndër krimet më mizore të luftes së fundit në Kosovë, ai mbi familjen Jashari në Prekaz nga forcat ushtarake serbe pritet së shpejti të materializohet me një aktakuzë nga organi që përfaqëson shtetin në Gjykatë, Prokuroria Speciale.

Ky institucion duke mos dhënë shumë detaje kanë njoftuar se “rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe se shumë shpejt, do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.”

Këtë hap të drejtësisë e ka mirëpritur Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ndonëse thotë se është vonuar tejmase.

“Kanë bërë mirë që kanë filluar, që ata kriminelë, të cilët kanë bërë atë masakër në familjen Jashari, në lagjen e Jasharajt, janë vrarë 55 qytetarë të lagjes së Jasharit, 22 të familjes, pjesëtarë të familjes të bacit Shaban. Kështu që është e mirë që të dihet kush janë ata kriminelë, kush ka qenë shefi i operativës, kush e ka udhëhequr këtë organizim, këtë ofendim. Aty janë vrarë pleq, plaka, fëmijë, gratë e pafajshme, shtatzëna të pafajshme. Janë vrarë njerëz që ndoshta s’kanë ditur, refugjatë kanë qenë gjithmonë, janë vrarë e është mirë që të dalin para drejtësisë. Sepse unë s’po llogaris djegien e shtëpive, të rrënimeve, besa-besë me numër që kanë qenë shtëpitë, po të paktën të dihet kush i vrau ata fëmijë. Familja Jashari, të cilët Kushtrimi është i vrarë aty, 9-vjeçar nëse nuk gaboj. Të tjerat familje po ashtu ka të vrarë fëmijë, pleq. E është hap i mirë, edhe pse është i vonuar është hap i mire” tha Gucati.

Në mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan kompleksin e familjes Jashari në Prekaz.

Rrethimi nisi në orët e hershme të mëngjesit dhe u shoqërua me sulme intensive me armë të rënda dhe granatime të vazhdueshme mbi shtëpitë e familjes ku mbetën të vrarë 55 persona, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.