Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, e ka mbështetur protestën që do të mbahet këtë të diel në Strasburg të Francës kundër Gjykatës Speciale.

“Sot me mendje e me zemër jam pranë bashkëkombësve që do të protestojnë në Strasburg, aty ku filloi padrejtësia e madhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Kjo gjykatë, siç thotë ai, nuk po gjykon atë për të cilën u themelua, por “po gjykon mbi shpifjet e Serbisë të sajuara nga Rusia”.“Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi dhe të tjerët janë aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian dhe vendin e kanë në Kosovë”.

Pafajësia e tyre, Ahmeti thekson se u konfirmua nga “miqtë tanë amerikan e evropian në Hagë, prandaj, lironi djemtë tanë!”.

Padrejtësia, ai thotë se duhet të marrë fund menjëherë, “i gjithë populli shqiptar është në këmbë për drejtësi për shenjtërinë e luftës sonë çlirimtare”.