Tifo-grupi i Prishtinës, Plisat, i kanë dhënë mbështetje protestës “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Plisat kanë kërkuar drejtësi për çlirimtarët.

“Më 17 shkurt, dalim në sheshin Skënderbeu për të kërkuar drejtësi. Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ata që luftuan për lirinë tonë sot po përballen me padrejtësi, ndërsa krimet ndaj popullit shqiptar mbeten të pandëshkuara”, kanë shkruar në Facebook.

Ata thonë se i bashkohen “zërit qytetar për drejtësi, për nderimin e luftës çlirimtare dhe për mbrojtjen e historisë sonë”. “Heshtja nuk është opsion kur po gjykohet lufta për liri. Drejtësia nuk negociohet”.