200 mijë nënshkrime me një kërkesë kryesore: Drejtësi për Çlirimtarët, i janë dorëzuar të mërkurën Gjykatës Speciale në Hagë, e cila po gjykon krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë, u dorëzuan 200 mijë nënshkrime, 200 mijë zëra që kumbojnë me një kërkesë të vetme, Drejtësi për çlirimtarët”, njoftoi Kryetari i Organizatës së Veteranëve të dalur nga Lufta e UÇK-së, Hysni Gucati.

Gucati, përmes një postimi në Facebook, theksoi se ky nuk është thjesht një peticion, “është vullneti i pastër i një kombi që nuk e harron sakrificën”.

“​Me besimin e palëkundur te lufta e pastër e UÇK-së, urojmë dhe shpresojmë që këtë verë dielli të lindë ndryshe  me krerët tanë në shtëpi, aty ku e kanë vendin, në Kosovën e lirë!”, potencoi ai tutje.

Më 25 shkurt, kategoritë e dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin nisur një peticion kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte në Hagë. Ky peticion po bëhej për t’iu drejtuar Gjykatës Speciale.