Ziadin Sela, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni të Veriut, i ka dhënë mbështetje protestës që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
“Të dashur shqiptarë, më 17 Shkurt të gjithë kemi një obligim, një përgjegjësi, një moment për t’i kontribuar drejtësisë dhe dinjitetit kombëtar”, shkroi Sela në Facebook.
Ai fton shqiptarët që në Prishtinë “të ngrejmë zërin për betejën vendimtare për lirinë e atyre që Kosovës ia sollën lirinë dhe për pastërtinë e asaj lirie”, shtoi ai.
“Për “Drejtësi, jo politikë”, të gjithë në Prishtinë! Për Çlirimtarët”, përfundoi ai.









