Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, e ka përkrahur protestën “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Platforma “Liria ka Emër”, e cila është organizatore e kësaj proteste, e kanë falënderuar Prebrezën për mbështetjen.

“Mbështetja juaj është dëshmi e përgjegjësisë institucionale dhe e qëndrimit në anën e drejtësisë dhe vlerave që bashkojnë qytetarët. Më 17 shkurt, bashkë, marshojmë për drejtësi”, thuhet në njoftimin e kësaj platforme në Facebook.

Mbështetje protestës së 17 shkurtit i kanë dhënë edhe kryetarë të komunave të tjera si Përparim Rama i Prishtinës, Shpejtim Bulliqi i Podujevës, Ardian Gjini i Gjakovës, Agim Aliu i Ferizajt, Sabedin Vishi i Kaçanikut, Smajl Latifi i Rahoveci, Zenun Elezaj i Klinës, Gazmend Muhaxheri i Pejës e të tjerë.

Përveç tyre, protesta në mbrojtje të UÇK-së është mbështetur edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile e shoqata të veteranëve të dala nga lufta e UÇK-së.

Procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Nga 9 shkurti deri më 18 shkurt do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.