Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës i ka dhënë mbështetje protestës “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

“Të indinjuar nga shkarja e drejtësisë në dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë, nga shkelja e çdo standardi e ligjësie për paraburgimin, për shkeljen e të drejtave të njeriut të të paraburgosurve ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…”.

“…të fyer nga kjo gjykatë të ngritur nga Kosova dhe të përdorur nga krimi antishqiptar ruso-serb dhe jo vetëm edhe me simbolikën poshtëruese të caktimit të seancave të ‘Deklaratave përmbyllëse’ në procesin kryesor kundër Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, pikërisht në vigjilje të shpalljes së pavarësisë sonë, ne Shoqata e ish të Burgosurve Politikë mbështesim ‘Marshin Protestues’ të thirrur nga shoqata “LIRIA KA EMËR” për datë 17 shkurt 2026”, thuhet në komunikatën e tyre për media.

Ata i kanë bërë thirrje që t’i bashkohen kësaj proteste kundër padrejtësisë së Speciales, “degëve tona anë e mbanë Kosovës, ish- të burgosurve politikë, ish-ilegalëve të shumtë dhe mbarë popullit tonë”.