Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, e ka përkrahur protestën “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
Nga platforma “Lira ka Emër”, që e ka thirrur këtë protestë, kanë thënë se mbështetja nga Skenderaj, “si simbol i sakrificës dhe i vlerave të luftës çlirimtare, e forcon edhe më shumë këtë kauzë qytetare në shërbim të drejtësisë së paanshme”.
Lushtaku, nga ana tjetër, ka kërkuar nga qytetarët që të bashkohen në Marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbrojtje të vlerave dhe lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “për burrat që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë, për themeltarët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.
“Kjo është thirrje për dinjitetin tonë, për të vërtetën e historisë sonë më të re!”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Mbështetje protestës së 17 shkurtit i kanë dhënë edhe kryetarë të komunave të tjera si Përparim Rama i Prishtinës, Shpejtim Bulliqi i Podujevës, Ardian Gjini i Gjakovës, Agim Aliu i Ferizajt, Sabedin Vishi i Kaçanikut, Smajl Latifi i Rahoveci, Zenun Elezaj i Klinës, Gazmend Muhaxheri i Pejës, Valon Prebreza i Fushë Kosovës e të tjerë.
Përveç tyre, protesta në mbrojtje të UÇK-së është mbështetur edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile e shoqata të veteranëve të dala nga lufta e UÇK-së.
Procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Nga 9 shkurti deri më 18 shkurt do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.









