Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka mbështetur protestën “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
“Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës sonë për liri”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Mbështetje protestës së 17 shkurtit i kanë dhënë edhe figura të tjera politike, pjesëtarë të shoqërisë civile e shoqata të veteranëve të dala nga lufta e UÇK-së.
Procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Nga sot (9 shkurt) deri më 18 shkurt do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.









