Përkrahje për protestën e 17 Shkurtit në mbështetje për krerët e UÇK-së, ka dhënë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo sot (e mërkurë, 11 shkurt), ka pritur në takim anëtarët e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxhën, Ismail Tashollin dhe Ridvan Eminin.
“E mbështes këtë iniciativë qytetare. Vlerat kombëtare dhe ato të luftës për liri duhet t’i mbrojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj si pjesë të krenarisë sonë kolektive,” u shpreh ajo.
Më 17 Shkurt në Prishtinë, nën thirrjen “Drejtësi, jo politikë”, do të marshohet në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë. Ky marsh, sipas organizatorëve është edhe një thirrje që politika të rrijë larg intereferimit në drejtësi.











