Duke iu referuar marshit me moton “Drejtësi, jo politikë”, Osmani tha se qytetarët e Kosovës nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa drejtësi për çlirimtarët.
“Si presidente e Republikës së Kosovës, i jap mbështetje këtij marshi sepse qytetarët tanë nuk kërkojnë asgjë tjetër përveç drejtësisë. Qytetarët tanë e dinë mirë se mbrojtja e luftës çlirimtare është vetë mbrojtje e Republikës”, u shpreh ajo gjatë fjalimit në ceremoninë e parakalimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë.
Ndërkohë, Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë është përgatitur për të pritur mijëra qytetarë në marshin për çlirimtarët, që mbahet nën moton “Drejtësi, jo politikë”.
Nga qytete të ndryshme të vendit, qytetarët me flamuj kombëtarë dhe me simbolet e UÇK-së kanë nisur të tubohen në sheshin e kryeqytetit, ndërsa marshimi pritet të nisë në orën 14:00.









