Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur mbështetje për marshin “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Nga PDK kanë njoftuar se kanë nisur mobilizimin në të gjitha strukturat partiake anembanë Kosovës, “me qëllim të angazhimit sa më të gjerë të qytetarëve për pjesëmarrje masive në këtë marsh qytetar”.

“PDK vlerëson se ky marsh është thirrje e ligjshme dhe paqësore për drejtësi të paanshme, në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të luftëtarëve të lirisë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë”, kanë thënë ata.

Në këtë periudhë kur procesi ka hyrë në fazën përmbyllëse, nga PDK kanë potencuar se kërkojnë “drejtësi të plotë, të barabartë dhe larg çdo ndikimi politik”.

“Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare, e lindur nga nevoja për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë të vërtetë historike përbën padrejtësi ndaj sakrificës së popullit të Kosovës”.

Nga partia e dytë më e madh në vend i kanë ftuar qytetarët që “në frymën e unitetit dhe respektit institucional, të bashkohen më 17 shkurt në Prishtinë për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar sakrificën çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës”.