Kryetari i Organizatës së Veteranëve të dalë nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka thënë se në bazë të informacioneve që ka, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, pritet që të marrin pjesë në protestën e 17 shkurtit, në Prishtinë, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë për krime të pretenduara lufte.

“Nuk është zyrtarisht, mos të marrim që është zyrtare, por në bazë të informacioneve e presim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, që të vijë bashkë me Presidenten Vjosa Osmani, t’i bashkangjiten protestës në Prishtinë”, tha Gucati në një lidhje direkte në Euronews Albania të shtunën.

Të konfirmuar pjesëmarrjen në protestë, Gucati deklaroi se e ka të Taulant Ballës, Shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë. “Taulant Balla më ka lajmëruar në telefon, më ka lajmëruar që do të jetë pjesë e protestës”, theksoi ai.

Përveç tij, kreu i OVL-UÇK-së theksoi se ka marrë konfirmime edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë.

“Më kanë lajmëruar edhe shumë deputetë të tjerë nga të gjitha partitë politike në Shqipëri. Edhe studentët do të vijnë në mënyrë të organizuar në Kosovë”, deklaroi ai ndër të tjera.

Në protestën e 17 shkurtit në Prishtinë, e cila do të fillojë nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbe”, pritet që të marrin pjesë rreth 200 mijë njerëz, kanë thënë nga Platforma “Liria ka Emër”, që është organizatore e këtij marshi me moton “Drejtësi, Jo Politikë”.

Kjo protestë organizohet në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale.

Nga e hëna kanë nisur fjalët përfundimtare të palëve. Fillimisht qëndrimet përfundimtare i ka paraqitur Prokuroria, e cila kërkoi nga 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së, e më pas mbrojtësi i viktimave.

Pas tij, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, ajo e Kadri Veselit dhe e Rexhep Selimit. Ajo e Jakup Krasniqit ka filluar të premten dhe pritet që të përfundojë të hënën.

Ndërsa, më 18 shkurt, në ditën e fundit të paraqitjes së qëndrimeve finale, fjalët përfundimtare do t’i thonë edhe katërshja e UÇK-së. Ata do t’i kenë nga 20 minuta në dispozicion.

Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte.