Platforma “Liria ka Emër” ka marrë leje zyrtare nga Komuna e Prishtinës për mbajtjen e marshit më 17 shkurt, ku do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

“Platforma qytetare Liria ka Emër njofton opinionin publik se ka siguruar lejen zyrtare nga Komuna e Prishtinës për shfrytëzimin e hapësirës publike, me qëllim të organizimit të marshit qytetar me moton ‘Drejtësi, jo politikë!’”, kanë njoftuar nga kjo platformë përmes një postimi në Facebook.

Marshi do të mbahet më 17 shkurt, duke filluar nga ora 14:00, në hapësirën publike të miratuar nga autoritetet komunale, në përputhje të plotë me kërkesën e paraqitur nga organizatorët dhe me legjislacionin në fuqi.

Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga Komuna, leja është dhënë për përdorimin e hapësirës publike në orarin e kërkuar, duke garantuar kështu mbarëvajtjen e aktivitetit qytetar në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtina dhe mbarë Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi paqësor, si shprehje e kërkesës për drejtësi të paanshme për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vite.

Ky marsh, thonë ata, është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika.