Platforma Liria ka Emër ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në marshin e 17 shkurtit, që do të mbahet në sheshin “Skënderbe”, në Prishtinë, në mbrojtje të UÇK-së.
“Liria ka Emër njofton dhe njëkohësisht fton qytetarët e Kosovës në marshin më të madh që ka parë ndonjëherë vendi ynë, një marsh qytetar paqësor dhe gjithëpërfshirës. Një marsh për Drejtësi dhe jo Politikë”, ka thënë Ismail Tasholli nga Liria ka Emër, në një konferencë për media të dielën.
Këtë javë, kur nis faza finale e gjykimit në Hagë, Tasholli thotë se nuk është thjesht një afat procedural, por është java kur fjala e fundit po afrohet. “Është java kur Kosova po shihet, po peshohet dhe po gjykohet në sytë e botës dhe në këto momente heshtja nuk është neutralitet, heshtja është mungesë qëndrimi”.
“Jemi në javën e fundit para një vendimi historik me datën 9 të këtij muaji nis faza finale e gjykimit në Hagë, një fazë që nuk ka peshë vetëm juridike, por edhe morale, historike dhe politike për vendin tonë”.
Tasholli theksoi se ky marsh nuk është kundër dikujt, por “për dinjitetin e Kosovës, për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë”.
Eliza Hoxha nga kjo platformë, që ishte pjesë e kësaj konference, theksoi se para se fjala të kalojë në sallën e gjyqit, “fjala duhet të dëgjohet në sheshet e Kosovës, në Prishtinë”.
“Qetë, denjësisht, por qartë, Drejtësi jo Politikë. Kosova marshon, sepse është e vetëdijshme për historinë e saj dhe beson në dinjitet dhe drejtësi”, tha Hoxha.