Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i ka dhënë mbështetje marshit “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Nga platforma Liria ka Emër, të cilët janë organizatorë të këtij marshi, kanë thënë se mbështetja nga Vushtrria është dëshmi se kjo kauzë e bashkon të gjithë Kosovën rreth parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe vlerave të luftës çlirimtare.

“Më 17 shkurt, në Prishtinë, marshojmë bashkë për drejtësi të paanshme. Drejtësi, jo politikë!”, kanë thënë nga kjo platformë.

Mbështetje protestës së 17 shkurtit i kanë dhënë edhe kryetarë të komunave të tjera si Përparim Rama i Prishtinës, Shpejtim Bulliqi i Podujevës, Ardian Gjini i Gjakovës, Agim Aliu i Ferizajt, Sabedin Vishi i Kaçanikut, Smajl Latifi i Rahoveci e të tjerë.