Tifozët Kuq e Zi i kanë dhënë mbështetje protestës “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Ata u kanë bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen në këtë protestë “për mbështetje të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen padrejtësisht në Hagë”.

“UÇK-ja është vlera më e shenjtë dhe më domethënëse e historisë sonë kombëtare, simbol i lirisë, sakrificës dhe rezistencës së popullit shqiptar. Ky proces është përpjekje për të rishkruar historinë dhe për të barazuar agresorin me viktimën”, kanë shkruar në Facebook.

Drejtësia e vërtetë, theksojnë ata, nuk mund të ekzistojë “pa u ndëshkuar krimet serbe”.

“Më 17 shkurt, ora 14:00, Prishtina flet në emër të gjithë shqiptarëve. UÇK-ja është liria jonë”.