Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë mbështetje marshit “Drejtësi, Jo Politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Nga platforma “Liria ka Emër”, që janë organizatorë të këtij marshi, kanë thënë se mbështetja nga kryeqyteti “forcon frontin qytetar, pa dallime, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe të drejtësisë së paanshme”.

“Më 17 shkurt, në Prishtinë, marshojmë bashkë. Drejtësi, jo politikë!”, shkruajnë ata.

Mbështetje protestës së 17 shkurtit i kanë dhënë edhe kryetarë të komunave të tjera si Shpejtim Bulliqi i Podujevës, Ardian Gjini i Gjakovës, Agim Aliu i Ferizajt, Sabedin Vishi i Kaçanikut, Smajl Latifi i Rahoveci e të tjerë.