Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut dhe ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ka përkrahur protestën “Drejtësi, Jo Politikë”, e cila do të mbahet më 17 shkurt në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.

Platforma “Liria ka Emër”, e cila është organizatore e kësaj proteste, e kanë falënderuar Ahmetin për mbështetjen.

“Mbështetja juaj për drejtësinë e luftës çlirimtare dhe për kthimin sa më të shpejtë të çlirimtarëve tanë në shtëpi është mesazh i fortë uniteti kombëtar dhe dinjiteti.”, thuhet në njoftimin e kësaj platforme në Facebook.

Mbështetje protestës së 17 shkurtit i kanë dhënë edhe figura të tjera politike, pjesëtarë të shoqërisë civile e shoqata të veteranëve të dala nga lufta e UÇK-së.

Procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Nga 9 shkurti deri më 18 shkurt do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.