Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka dhënë mbështetje protestës që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu”, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Nga Platforma “Liria ka Emër”, thanë se Haxhiu vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar në këtë moment.

“Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve”, tha Haxhiu, citohet nga Platforma “Liria ka Emër”.

Eliza Hoxha nga kjo platformë ka theksuar se marshimi “është shprehje e ndërgjegjes qytetare dhe e unitetit përtej dallimeve politike”.

“Ky marsh është zë i qytetarëve për drejtësi dhe dinjitet. Është moment kur shoqëria jonë tregon se di të bashkohet për çështje që e tejkalojnë politikën,” deklaroi Hoxha.

Ismail Tashoi po nga kjo platformë ka potencuar se pjesëmarrja masive do të jetë mesazh i qartë për respektimin e së vërtetës dhe të drejtësisë.

“Nesër, Prishtina do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare,” theksoi Tasholli.

Protesta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së është mbështetur edhe nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryediplomati Glauk Konjufca.

Platforma “Liria ka Emër” e ka falënderuar Kryetaren e Kuvendit për pritjen dhe diskutimin konstruktiv, derisa kanë ritheksuar thirrjen që nesër qytetarët të bashkohen në marshin “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë.