Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ka njoftuar se ka mirëpritur drejtuesit e “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tashollin, ku i ka dhënë mbështetje për marshin që do të mbahet më 17 shkurt, në Prishtinë, në mbrojtje të UÇK-së.
“Mbështetja për drejtësinë e luftës çlirimtare dhe për kthimin sa më të shpejtë të çlirimtarëve tanë në shtëpi është një mesazh i qartë uniteti kombëtar dhe dinjiteti”, shkroi Ahmeti në Facebook.
“Drejtësi. Dinjitet. Liri”, përfundoi ai.
Mbështetje protestës së 17 shkurtit i kanë dhënë edhe figura të tjera politike, pjesëtarë të shoqërisë civile e shoqata të veteranëve të dala nga lufta e UÇK-së.
Procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Nga sot (9 shkurt) deri më 18 shkurt do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.









