81 vjet dënime të dhëna nga Gjykata Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përpos revoltës nëpër rrugë, nxitën reagime qytetare edhe në rrjete sociale.
Publicisti Shkëlzen Maliqi ka qenë mjaft i shkurtër, por shumë goditës në reagimin e tij në Facebook.
Ai ka shkruar: “U gjetën organet, Gjykata, transplant serb.”
Ndërkohë, publicisti dhe autori tjetër, Migjen Kelmendi, në një shkrim tha se kryetari i Trupit Gjykues, kur e dha verdiktin për ish-krerët e UÇK-së, nuk e vuri theksin në drejtësi, por në letërsi.
“Me zellin e nji shkrimtari amator, gjykaci Smith III, eklipsoi detyrën që e kishte me e dokumentue dhe lidhë Veprën me Kryesin e Veprës, përtej çdo dyshimi të bazuem, dhe kohën ma të madhe e shpenzoi në përshkrime të detajeve si, “thojtë e nxjerrun…dhambtë e thyem…ftyra të mbulueme me gjak…fëmi dhe nana të burgosuna….” Përmendi shifra me të torrturuem e të vramë që duheshin me të trandë e jo bindë, tue e arsyetue verdiktin jo me fakte përtej çdo dyshimi të bazuem, por me emocionalitet dhe shastisje. Nji trup gjykues që e arsyeton vendimin tue nxitë emocione e jo tue vendosë drejtësi, e ka vnue në pikëpyetje të madhe kredibilitetin e kësaj gjykate”, shkroi Kelmendi.
“Pika kulmore e krejt kësaj drame juridike, ishte leximi i verdiktit “në emën të popullit”, që krijoi përshtypjen finale se tanë kohës kemi qenë mbrenda nji procesi kafkian, arsyetue me detaje, me nxitje emocionesh e me tronditje. Me gjuhën e cila duhej jo me të bindë në drejtësi, po me të tmerrue. Kështu sllogani Drejtësi jo Politikë, perpetuoi në Drejtësi jo Letërsi”, e përfundoi tekstin Migjen Kelmendi.









