“Në emër të babait” është një film i jashtëzakonshëm, i bazuar në ngjarje të vërtetë, që tregon historinë e katër irlandezëve në vitet ’70, të cilët u dënuan përjetësisht dhe padrejtësisht për një sulm në dy lokale në Guildford, në afërsi të Londrës.
Asokohe, Ushtria Republikane Irlandeze po kryente atentate me synimin që Irlanda e Veriut të shkëputej nga Mbretëria e Bashkuar.
Gjyqi ndaj Gerry Conlon dhe tre miqve të tij u zhvillua nën presion të hatashëm politik, dhe procesi ishte një farsë, me prova të fabrikuara në të gjitha nivelet.
Katërshja e Guildford-it kaloi 15 vjet në burg dhe, në vitin 1989, Apeli gjeti se ata ishin të pafajshëm.
“Në burg prej 15 vitesh për diçka që s’e kam bërë. Për diçka që s’dija asgjë. Një njeri krejtësisht i pafajshëm”, Conlon pas lirimit.
Gjyqtari i shkallës së parë i dënoi ata pa asnjë provë materiale, cenoi paanësinë, bëri pyetje si hetues, mori parasysh vetëm dëshmitë e prokurorisë dhe injoroi faktet që vërtetonin pafajësinë.
Ka shumë ngjashmëri me këtë histori procesi kundër katërshes së UÇK-së në këto gjashtë vjet, në veçanti me sjelljen e gjyqtarëve.
Skenat nga salla e seancave në Hagë dhe verdikti final ishin një shpërfaqje e hapur e një gjykimi politik, arbitrar, të anshëm, me aktgjykim të paracaktuar.
Një nga ushtarët e devotshëm të kësaj ndërmarrjeje që e shpalli UÇK-në si kriminale ishte gjyqtari Guénaël Mettraux.
Zvicerani aplikoi një seri pyetjesh e metodash që devijonin të vërtetën, që synonin të gjenin prova në imagjinatë, në spekulime e në materiale të paverifikuara.
Kur po dëshmonte Sokol Bashota, Mettraux po perifrazonte disa deklarime të Hashim Thaçit, dhe kur po bënte pyetjen, e keqcitoi ish-presidentin; nuk e lexoi të plotë paragrafin, me qëllim që ta hutonte dëshmitarin.
Kjo nxiti reagimin e ashpër të Thaçit.
Mettraux tentoi ta bënte sërish të njëjtën gjë, por përsëri reagoi ish-presidenti.
Para kësaj, gjyqtari zviceran po e merrte në pyetje Hajrush Kurtajn dhe tentoi disa herë të nxirrte prova nga imagjinata, supozimet e spekulimet.
Mettraux: “Le të supozojmë… ndoshta një pyetje paksa spekulative”.
Por atij i dha leksion me përgjigje një gueril nga Kaçaniku.
Kurtaj: “Derisa nuk kam pasur asnjë rast, nuk mund të spekuloj, të supozoj”.
Përpjekjen e radhës, gjyqtari Mettraux e bëri me dëshmitarin Kurtesh Fondaj, gjithashtu pjesëtar i UÇK-së.
Me pyetjet e tij, e detyroi njërin nga avokatët të ngrihej dy herë në këmbë për të kundërshtuar.
Ellis: “E kundërshtoj këtë pyetje. Kjo është një pyetje që duhet ta bëjë prokuroria, nuk mund ta bëjë trupi gjykues këtë pyetje. Kjo është një pyetje tërësisht sugjestionuese. Nuk është një pyetje kjo për t’u bërë nga paneli”.
Presioni përmes metodave si hetues e me pyetje orientuese ishte aq i madh për Fondajn, sa ditën tjetër të dëshmisë kërkoi avokat, sepse u ndje i keqpërdorur nga gjyqtari.
Fondaj: “Unë dje pasdite i kam parë incizimet që janë prezantuar nga gjykata, i kam përcjellë me vëmendje dhe sidomos marrjen në pyetje nga gjyqtari; më ka bërë të mendoj të kërkoj një avokat, respektivisht mbështetje nga një avokat, se po mendoj se jam keqpërdorur”.
Në procese gjyqësore, palët shqyrtojnë provat që i ka prezantuar prokuroria për ta mbrojtur çështjen dhe mbi to merren edhe dëshmitë.
Por për Mettraux-n është lehtë e kapërcyeshme kjo dhe, në një nga seancat, prezantoi dokumente të nxjerra online, pa asnjë verifikim.
Gjykatësi Mettraux: “Nuk besoj se ka një numër ERN, por mund ta gjeni online sepse është një dokument publik”.
Kjo sjellje e gjyqtarëve kishte befasuar jashtëzakonisht shumë edhe diplomatin James Rubin, që dëshmoi në anën e mbrojtjes për disa ditë.
Rubin: “Për habinë time, gjyqtarët më bënë pyetje që më dukeshin jashtëzakonisht të njëanshme. Nuk tingëllonin si pyetje që synonin të zbulonin faktet”.
Në nëntor të vitit 2024, në një shkresë të përbashkët, avokatët mbrojtës ia bënë të qartë panelit se me pyetjet e tyre po shkelin të drejtat e njeriut dhe po harrojnë parimin bazë të çdo gjykimi – prezumimin e pafajësisë.
Por asgjë, as parimet bazë të një gjyqi të paanshëm, të shkruara e të praktikuara vite më parë në gjykata ndërkombëtare, as këto thirrje të mbrojtjes e dëshmitarëve nuk e ndalën këtë.
Një grup i avokatëve britanikë që monitoruan procesin konstatuan në raportin e tyre se këto taktika të gjyqtarëve në Speciale, në fakt, i bëjnë ata të funksionojnë si një prokuror i dytë, duke cenuar kështu parimin e barazisë së armëve.
Gerry Conlon pati një betejë të gjatë e të vështirë për drejtësi. Por, ai nuk u ndal asnjëherë.
Qytetarët në Kosovë, brezi i luftës dhe në veçanti rinia, nuk kanë nevojë të jenë juristë për ta dalluar anshmërinë dhe shfaqjen e padrejtësisë.
Prandaj, kjo revoltë në shesh e kudo është një betejë për ta mposhtur me drejtësi aktgjykimin e konstruktuar. Dhe për të treguar se kurdo dhe kudo, e vërteta është e pamundshme të burgoset.








