Partitë politike më të mëdha parlamentare: Lëvizja Vetëvendosje si më e madhja, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e Presidentit, duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Nga PDK dhe LDK thanë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë oferta për Qeveri dhe Kuvend, në këmbim që Presidentin ta ketë VV-ja.
Të hënën, pati një takim në mes të Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Kurtit. Pas takimit, Abdixhiku deklaroi se “nga ky moment e tutje, i konsiderojmë bisedimet e mbyllura, pa zgjidhje konkrete për çështjen e Presidentit”.
Në një prononcim për media nga oborri i Kuvendit, Abdixhiku njoftoi se nuk kanë arritur marrëveshje për Presidentin, pasi që Kurti e ka kërkuar pozitën e Presidentit për Vetëvendosjen.
“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, deklaroi Abdixhiku.
Në këtë situatë, Abdixhiku potencoi se LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tutje. “Nuk duam t’i marrim kohë… LDK është jashtë procesit diskutues për çështjen e Presidentit”.
Se bisedimet rezultuan të pasuksesshme me Abdixhikun, e tha edhe Kurti. Ai tha se kjo ndodhi për shkak se asnjëra prej ofertave që ia ka bërë kreut të LDK-së, nuk janë pranuar.
Oferta e parë, Kurti tregoi se ka qenë që LDK-së t’i jepet zëvendëskryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. “Unë kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet pikërisht Abdixhiku dhe në këtë mënyrë të fillojmë një kapitull të ri të bashkëpunimit e bashkëveprimit midis VV-së dhe LDK-së”.
Oferta tjetër, Kryeministri tha se ka qenë që LDK-së t’i jepet pozita e Kryetarit të Kuvendit.
Por, asnjëra nga këto dy propozime nuk janë pranuar nga Abdixhiku.
Kjo situatë, Kurti theksoi se “është për të ardhur keq sepse në këtë mënyrë, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, tërësisht të panevojshme që i humbin kohë shtetit të Kosovës…”.
Pas përfundimit të takimit me Abdixhikun, Kurti bëri me dije se i ka dërguar një mesazh Kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. “Posa përfundova këtë takim, i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe i thash të shohim çfarë është e mundur që të ecim përpara”.
Përgjigjen e mori pas disa orësh. Hamza, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, tha se Kurti i ka dërguar mesazh në WhatsApp dhe jo ftesë zyrtare. Ai tregoi ofertën që ia ka bërë Kurti për Kuvendin, në mënyrë që deputetët e PDK-së të qëndrojnë në sallë kur të votohet Presidenti.
Ofertën e Kryeministrit, Hamza e quajti joserioze dhe “jokushtetuese”.
“Oferta është kjo, që deputetët e partisë e PDK-së të qëndrojnë në sallë, të votojnë dhe si rezultat i kësaj, PDK-së i ofrohet posti i kryetarit të Kuvendit me një lloj ndryshimi, që LVV-së t’i kalohet pozita e nënkryetarit të Kuvendit që aktualisht e ka PDK. E para kjo nuk është serioze, sepse kryesia e Kuvendit është e konstituuar”, tha Hamza.
Ai shtoi se qëndrimi i partisë që drejton ka qenë që Presidenti të propozohet nga PDK-ja, por jo domosdoshmërisht dikush që është pjesë e strukturave partiake.
Në mbledhjen që pati, PDK-ja miratoi edhe një deklaratë politike, ku thanë, ndër të tjera, se kanë qenë të gatshëm për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje.
Për PDK-në, thuhet aty, “stabiliteti institucional ka qenë çështje parimore dhe e interesit shtetëror, e jo objekt i negocimit politik”.
Por, theksojnë se “përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri”.
“Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces”, deklaruan nga PDK.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, ku u konstatua se dekreti s’ka efekt juridik, u dhanë edhe 34 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit.
Nga ky afat kanë mbetur edhe 8 ditë. Nëse nuk ka, e siç janë deklarimet publike të partive, nuk do të ketë, Kuvendi do të shpërndahet dhe Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.









