Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është thirrur në një takim të jashtëzakonshëm në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Aty është vetëm një pikë e rendit të ditës: Diskutim lidhur me performancën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Në mbledhjen e javës, ditën e enjte, ai mori goditjen e radhës në Këshillin Prokurorial.

Në bazë të një raporti të publikuar nga ky Këshill, aty u tha se Prokuroria Speciale është një ndër Prokuroritë me efikasitetin më të dobët në mesin e Prokurorive brenda Sistemit Prokurorial.

Kjo gjë u kundërshtua ashpër nga anëtari i Këshillit, Milot Krasniqi, i cili tha se kjo është një tendencë për ta goditur dhe shuar Prokurorinë Speciale.

Kjo u mohua nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, i cili u deklarua se nuk ekziston një tendencë e tillë.

Ndërsa, anëtari tjetër, Visar Krasniqi, tha se joefikasiteti i Speciales është rezultat i keqmenaxhimit, duke nënkuptuar udhëheqësin e kësaj Prokurorie, Blerim Isufajn.

Kujtojmë se në mbledhjen e para disa javëve të këtij Këshilli, kur raportoi Blerim Isufaj nga PSRK-ja, ai u përball me kritika qesharake.

Këtë takim e kanë kundërshtuar ashpër Instituti i Kosovës për Drejtësi duke shkruar se “llogaridhënia nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta ndaj një kryeprokurori”.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka pranuar me shqetësim informacionin se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur për sot, në ora 15:00, takim të jashtëzakonshëm, me pikë të rendit të ditës diskutimin lidhur me performancën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).IKD thekson qartë se llogaridhënia nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta ndaj një kryeprokurori, me theks të vecantë në kohën kur kjo prokurori është duke trajtuar lëndë që ndërlidhen edhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit transnacional dhe në bashkëpunim me shtetet mike të republikës së Kosovës. IKD rikujton se reformat në sistemin prokurorial duhet të promovojnë besimin e publikut në këtë sistem dhe të garantojnë pavarësinë e këtij sistemi nga cfarëdo perceptimi për ushtrim të ndikimit politik në sistemin prokurorial”, thuhet në reagim.