Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që sot (e hënë) të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara – mbi 12 mijë e 700 të tilla – ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai ka treguar se aktualisht në QNR po vazhdon numërimi i votave me postë.
“Gjatë ditës së sotme, po planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që të fillojmë me numërimin e në numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.”, tha Elezi.
Sipas rezultateve të përmbledhura nga KQZ, me 96.12 për qind të numrit total të votave të numëruara, Vetëvendosje ka fituar 50.55 për qind të votave, apo 463 mijë e 905 vota.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.46 për qind, apo 187 mijë e 798 vota. E treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.36 për qind, apo 122 mijë e 591 vota.
Në vendin e katërt renditet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.54 për qind, apo 50 mijë e 872 vota.









