Procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt fundit. Deri më tani, janë rinumëruar 87.76 për qind e vendvotimeve.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani janë rinumëruar 2 mijë e 244 vendvotimeve nga 2 mijë e 557 sa janë në tërësi.
Nga KQZ kanë thënë se rinumërimi i votave mund të përfundojë këtë javë.
Më 19 janar, KQZ vendosi që të rinumërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi që në rinumërimin e pjesshëm u konstatuan manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.
Përveç rinumërimit të plotë, KQZ-ja vendosi edhe që t’iu ndërpritet mandati i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, pasi në këtë komunë pati manipulime të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë.
Vendimi u mor pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore. Mbështetje i dhanë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në KQZ.
Prokuroria nga ana tjetër ka filluar hetimet për manipulimet e votave. Madje, në Prizren, të premten u ndaluan 109 persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë fenomen, prej të cilëve 23 përfunduan në paraburgim.
Po ashtu, edhe në Malishevë u ndaluan 15 persona, ndërsa u intervistuan edhe 43 të tjerë.









